Ndonjëherë, shumica e njerëzve ndjehen të zemëruar, por kur zemërimi, nervozismi ose inati ndikojnë negativisht në jetën e përditshme, atëherë ekzistojnë mënyra të ndryshme që mund të provoni për t’ju ndihmuar në zhvillimin e aftësive të nevojshme për përballimin dhe menaxhimin e inatit. Një nga këto mënyra është kontakti me kwshilluesit profesionistw nw Linjwn Telefonike 0800 45645, i cili ofron këshillim falas pwrmes telefonit.
Kwshilluesit tanw, tw trajnuar posaçërisht për këtë gjë mund t’ju ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve që mund të keni, në përballimin e ndjenjës së inatit dhe në menaxhimin e emocioneve të tjera negative. Profesionistët tanë janë këtu për t’ju siguruar mbështetje dhe për t’ju dhënë informacion përkatës, para se ndjenja e zemërimit të dalë jashtë kontrollit. E njëjta gjë vlen edhe nëse tashmë po përballeni dhe po luftoni me situata të zemërimit të pakontrolluar. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe dëgjuar.
Shkaqet dhe burimi i zemërimit dhe inatit
Ka shumë shkaqe dhe faktorë të ndryshëm që na shtyjnë të zemërohemi, por dhe vetë ndjenja e inatit ndryshon nga një individ tek tjetri.
Të ndjeheni të zemëruar për gjëra që ju ndodhin është plotësisht normale. Zemërimi është një nga emocionet që të gjithë njerëzit përjetojnë gjatë jetës së tyre. Gjëja më e rëndësishme është që ju të kuptoni burimin dhe shkaqet e zemërimit tuaj dhe se si të menaxhoni në mënyrën e duhur ndjenjat dhe emocionet tuaja, duke mos e lënë inatin t’ju kontrollojë jetën.
Disa gjëra të zakonshme që i bëjnë njerëzit të ndjehen të zemëruar ose të inatosur janë:
- Trajtimi i padrejtë dhe ndjenja e pafuqisë për ta ndryshuar këtë
- Ndjenja e deprivimit ose humbjes dhe zhgënjimi nga mospërmbushja e pritshmërive
- Përjashtimi social, diskriminimi dhe ndjenja e margjinalizimit
- Ndjenja e kërcënimit ose sulmimit kundër jush dhe të afërmve tuaj
- Mos respektimi i bindjeve, ndjenjave ose pasurisë tuaj nga të tjerët
Reagimi ndaj zemërimit mund të varet nga shumë gjëra, përfshirë këtu:
- Situatën në të cilën gjendeni momentalisht – kontrolli i zemërimit është më i vështirë nëse përballeni me shumë probleme ose situata stresuese
- Historikun familjar – gjatë fëmijërisë, të rriturit përeth jush mund tju kenë mësuar me mënyra jo të dobishme dhe jo të sakta për përballimin e inatit
- Situata që keni përjetuar –ngjarje traumatike, të frikshme ose stresuese nga e kaluara juaj
Çdo individ ka shkaktarët e vetë të zemërimit ose inatit. Disa nga gjërat që mund të shkaktojnë zemërimin tuaj, mund të mos shqetësojnë aspak individët e tjerë. Prandaj, është shumë e rëndësishme të kuptoni dhe të njihni shkaktarët specifikë për ju.
Ju mund ta keni të vështirë të shpjegoni ndjenjat tuaja të zemërimit ose të inatit, por biseda me dikë mund t’ju ndihmojë që të gjeni një zgjidhje për çështjet e nervozismit.
Simptomat e zemërimit dhe inatit
Inati i vazhdueshëm ose zemërimi mund të shkaktojnë simptoma të ndryshme. Mund të ndikojnë në sjelljen tuaj ose në mënyren se si ndiheni fizikisht ose mendërisht.
Disa njerëz bëhen agresivë ndaj të tjerëve kur janë të zemëruar ose të inatosur. Kurse disa të tjerë e fshehin inatin e tyre dhe zemërohen me veten.
Aftësia e njohjes së simptomave është thelbësore për menaxhimin e zemërimit. Komunikimi me një këshillues profesionist mund t’ju ndihmojë në identifikimin e shkaqeve që nxisin ndjenjat tuaja negative, duke nxjerrë në dritë arsyet e zemërimit tuaj dhe duke ju ndihmuar për ta përballuar atë në mënyrë pozitive.
Nuk është gjithmonë e lehtë të kuptoni ose të konstatoni nëse zemërimi është arsyeja për ndryshimin e sjelljes suaj.
Simptomat fizike të zemërimit dhe inatit:
- rrahjet e shpeshta të zemrës
- tensioni i muskujve
- shtrëngimi i grushtave të dorës
- shtrengime në gjoks
- ndjenja e nxehtësisë në trup
Simptomat mendore të zemërimit dhe inatit:
- ndjenja e tensionimit shpirtëror ose e nervozismit
- pa mundësia për tu relaksuar ose qetësuar
- irritoheni shpesh, edhe për arsyen më të vogël
- ndjenja e poshtërimit
- inati dhe urrejtja për të tjerët
Ndryshimet në sjellje për shkak të zemërimit dhe inatit:
- bërtitja
- shpërfillja ose injorimi i të tjerëve
- zënkat me njerëzit
- thyerja e sendeve
- dëmtimi i vetes
- izolimi nga miqtë, familja dhe situatat shoqërore
- ndryshimet në regjimin e gjumit, në dietë dhe në rutinën e përditshme
Këto janë disa nga gjërat që mund të bëni për tju ndihmuar në përballimin e zemërimit dhe inatit –
PO:
- mundohuni të kuptoni fillimin e zemërimit tuaj në mënyrë që të bëni hapat e duhura për tu qetësuar sa më shpejt që të jetë e mundur – gjetja e arsyeve të zemërimit është hapi i parë drejt zgjidhjes së situatës
- shënoni në një bllok ose fletore ndjenjat tuaja në lidhje me një situatë e cila ju ka zemëruar ose inatosur – mbani shënim çdo gjë që ndodhi dhe shkaktoi zemërimin tuaj si dhe mënyren se si u përballët me këtë situatë
- jepini vetes kohë për të menduar para se të reagoni – provoni të numëroni deri në 10 dhe të bëni ushtrime qetësuese të frymëmarrjes për të larguar inatin dhe zhgënjimin
- jini të harmonizuar me mendimet dhe ndjenjat tuaja, sidomos me ato që ndodhin brenda jush – vetëdija dhe vetëkontrolli shkojnë gjithmonë bashkë
- flisni me dikë për gjërat që ju zemërojnë – komunikoni me një profesionist të kualifikuar i cili nuk ka asnjë lidhje me situatën tuaj personale, siç janë profesionistët e shërbimit mbështetës N’DRIT
- bëni ushtrime ose stërvituni – aktivitetet si vrapimi, ecja dhe noti mund tju ndihmojnë për tu relaksuar dhe për të zvogëluar stresin
- bëni pushime të rregullta nga përdorimi i internetit dhe leximit ose ndjekjes të lajmeve – mos i besoni çdo gjëje që shikoni ose lexoni në rrjetet sociale
Këto janë disa nga gjërat që nuk duhet të bëni kur e ndjeni veten të zemëruar ose të inatosur –
JO:
- mos u përpiqni të bëni gjithçka menjëherë dhe në një kohë të shkurtër; vendosni objektiva të vogla për ti arritur ato më lehtë
- mos u përqëndroni në gjëra që nuk mund të ndryshoni. Përdoreni kohën dhe energjinë tuaj për të ndihmuar veten të ndjehet më mirë
- mos e fshihni ose frenoni zemërimin tuaj. Jini të siqertë me veten dhe të tjerët, dhe menaxhoni zemërimin tuaj me kujdes dhe me përgjegjësi
- mos mendoni se jeni vetëm – shumica e njerëzve ndjehen të zemëruar ndonjëherë. Mbështetja për situata të lidhura me zemërimin ekziston dhe është në dispozicionin tuaj
- mos përdorni alkool ose drogë për të larguar inatin ose zemërimin – alkooli dhe droga mund të pengojnë gjykimin tuaj dhe të kontribuojnë në shëndetin e dobët mendor
Linja Telefonike 0800 4545 është këtu për tju ndihmuar me menaxhimin e zemërimit dhe inatit. Nëse mendoni se nuk jeni në gjendje të kontrolloni zemërimin tuaj, ose nëse keni nevojë për ndihmë për të trajtuar shkaqet e tij, na dërgoni një mesazh dhe do të përfitoni mbështetje telefonike falas: private dhe konfidenciale.