Ju mund të ndiheni të ngecur në një jetë në të cilën jeni të pakënaqur. Ky është fenomeni mjerues i ngecjes psikologjike, një situatë tepër problematike të cilën ju mund mos ta keni kuptuar akoma dhe mund mos të dini se cilat janë hapat e mëtejshme për t’u përballuar me të. Këto ndjenja krijohen dalëngadalë gjatë rutinës së jetës suaj të përditshme. Me kalimin e kohës, ju mund të ndiheni të zhgënjyer nga mënyra e jetës që po bëni dhe të pakënaqur me realitetin aktual. Gjërat që ju inkurajonin dikur nuk ju interesojnë më. Ndjenja e ngecjes ju bën të ndiheni të pamotivuar, të paplotësuar dhe pa një qëllim në jetë. Ju ndiheni të zënë në kurth, i cili nuk ju lejon të ecni përpara drejt arritjes së qëllimeve të jetës tuaj.
Edhe pse këto ndjenja mund të jenë tepër shqetësuse, të qenit “i ngecur” në jetë është një situatë mjaft e zakonshme tek njerëzit. Për fat të mirë, ekzistojnë disa gjëra që mund të bëni për të ndryshuar ketë situatë negative. Mos harroni se jeta është e ngjashme me mësimet e notit. Ju mund të qëndroni në ujë, por ende nuk po notoni dhe nëse nuk përpiqeni të notoni, do të fundoseni. Të jesh i ngecur në rutinën e përditshme të jetës është njësoj si të qëndrosh në ujë pa notuar. Lajmi i mirë është se, me pak ndihmë, ju mund të keni aftësitë dhe mundësitë për të përballuar ngecjen psikologjike. Këto janë disa këshilla dhe ide se si të përballoni dhe hidhni pas krahëve këtë situatë problematike:
Identifikoni shkakun e problemit
Ka arsye të ndryshme që i bëjnë njerëzit të ndihen të ngecur në jetë. Ndoshta ju nuk jeni të kënaqur me profesionin që po bëni ose marrëdhënia juaj nuk ka ecur ashtu siç e keni planifikuar ose dëshiruar. Është shumë e rëndësishme të identifikoni shkakun kryesor të kësaj ndjenje para se të ndryshoni jetën tuaj. Prandaj merrni kohën e duhur për të vlerësuar situatën aktuale duke marrë parasysh ndjenjat tuaja. Kur ndiheni të ngecur në rutinë, mundohuni t’ju përgjigjeni tre pyetjeve të thjeshta:
- Çfarë i mungon jetës sime në këtë moment?
- A është marrëdhënia ime e shëndetshme?
- Çfarë ma nxit ankthin dhe stresin?
Gjithashtu, mund të jetë e dobishme për ju të komunikoni në mënyrë konfidenciale me një nga këshilluesit profesionistë në ikonën Chat në këtë faqe ose në Linjën Telefonike 0800 4545. Me ndihmën e këshilluesve të shërbimit tonë online mund të zbuloni mendimet që ju pengojnë të ecni përpara ne jetë dhe gjithashtu të kuptoni më mirë shkaqet që ju bëjnë të ndiheni të ngecur në rutinën e jetës.
Filloni me ndryshime të vogla në jetën tuaj të përditshme
Pasi të keni identifikuar shkaqet e ngecjes psikologjike dhe ambientin në të cilin shfaqet fenomeni, ju mund të ndiheni të gatshëm për të bërë ndryshime të mëdhaja në jetën tuaj duke synuar gjithmonë në përmirësimin e situatës. Por, kini parasysh se përpjekjet për të ndryshuar disa zakone ose sjellje përnjëherësh dhe në një kohë shumë të shkurtër mund të krijojnë një situatë zhgënjyese. Ju mund të mos jeni në gjendje për t’i përmbushur ndryshimet që keni planifikuar. Më e dobishme është të mendoni se si mund të zëvendësoni një zakon të keq ose ves me një zakon të mirë.
Filloni duke bërë një ose dy ndryshime të vogla. Kjo e bën të gjithë proçesin më të menaxhueshëm dhe ju ndihmon për të kuptuar nëse diçka nuk funksionon për ju. Edhe një ndryshim i vogël pozitiv mund të japë rezultate të mëdha dhe të qëndrueshme. Mund t’ju ndihmojë të bëni një transformim rrënjësor në jetën tuaj. Ndryshimet në zakonet ditore, edhe pse të vogla, mund të zhvillojnë sjellje më pozitive dhe më të shëndetshme në rutinën dhe jetën tuaj të përditshme.
Thyeni rutinën e vjetër
Njerëzit kanë aftësinë të ndryshojnë shpesh zakonet e tyre. Mënyra më e mirë për të përballuar ngecjen psikologjike është thyerja e rutinës së vjetër dhe krijimi i zakoneve të reja. Edhe pse rutina mund të konsiderohet pozitive për ndërtimin e zakoneve të shëndetshme, ajo mund të përkeqësojë ndjenjën e të ngecurit në jetë.
Ndryshimi i rutinës tuaj të përditshme mund tju ndihmojë për të përballuar ndenjën e të ngecurit në jetë dhe për të tejkaluar përfundimisht këtë situatë. Gjeni kohën për të ndryshuar zakonet, besimet dhe mënyrën tuaj të sjelljes dhe të jetesës. Adoptimi i zakoneve të reja, pozitive dhe efektive do të zëvendësojë zakonet e vjetra jo-efektive të cilat ju mbanin të ngecur në jetë. Provoni disa zakone të reja në jetën tuaj të përditshme, duke filluar nga një bisedë me një koleg të ri ose takohuni me disa miq për drekë. Edhe gjërat e vogla si ndekja e një filmi të ri në televizor ose leximi i një libri mund të shtojë diçka të re, interesante dhe entuziasmuese në jetën tuaj.
Rishikoni qëllimet tuaja ose vendosni qëllime të reja
Përmbushja e një qëllimi specifik mund të jetë motivuese dhe t’i japë kuptim jetës tuaj. Kur vendosni qëllime, ju merrni në dorë kontrollin e jetës. Prandaj është shumë e rëndësishme të bëni një hap mbrapa dhe të mendoni seriozisht për ato që doni të ndryshoni dhe të arrini gjatë javëve, muajve ose viteve në vijim. Nëse arritja e qëllimeve tuaja të mëdha ju duket e vështirë, ndajini ato në një sërë qëllimesh më të vogla dhe më të arritshme. Shënimi i hapave individualë për arritjen e çdo qëllimi mund ta bëjë të gjithë proçesin më të menaxhueshëm dhe t’ju ndihmojë të qëndroni në rrugën e duhur për arritjen e tyre. Planifikimi është i nevojshëm për të qënë i përqëndruar dhe për të vazhduar të ecni drejt përmbushjes së qëllimeve tuaja. Vendosni gjithmonë qëllime realiste, specifike dhe të kufizuara në kohë.
Ju mund të komunikoni më një nga këshilluesit tanë ne Linjën Telefonike 0800 4545 ose në ikonën Chat në këtë faqe për të diskutuar për çdo gjë që ju shqetëson, pa asnjë gjykim dhe në mënyrën më të përshtatshme për ju.
Na kontaktoni nëpërmjet Messenger-it për të filluar një bisedë me ju!